Monday , 20 September 2021

VLLAZNIA ME MUNGESA, POR BESON TEK KUALIFIKIMI

Në Shkodër besojnë verbërisht se Vllaznia mund t’ia dalë të kualifikohet për në turin e tretë të “Conference League”. Një besim që vjen nga forma që ka skuadra, mbështetja që do të kenë nga tifozët por edhe në shumë aspekte.

Vërtetë AEL Limasol e fitoi ndeshjen e parë të luajtur në Qipro në shifrat e ngushta 1-0, por duhet thënë se shumë prej futbollistëve kuqeblu nuk kanë qenë në gjendjen e tyre më të mirë shëndetësore. Problemet e tyre duket se tashmë kanë kaluar dhe ata pritet të jenë në formën e duhur për ndeshjen e së enjtes.

Nga ana tjetër, edhe mbështetja e fortë që pritet t’i japin tifozët e shumtë që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, do të jetë një plus më tepër për skuadrën shkodrane. Ajo vërtetë do të ketë mungesat e Da Silvës dhe Gjurgjevikj në këtë ndeshje, por lojtarët që do të luajnë do të japin maksimumin në fushë.

Do të luajnë për vete në rradhë të parë, do të luajnë për të marrë 70 mijë eurot e shpërblimit që ka akorduar klubi për kalimin e turit, por do të luajnë edhe për historinë. Vllaznia asnjëherë më parë nuk ka shkuar deri në turin e tretë të Kupave të Europës dhe kanë shansin e madh për ta realizuar mbrëmjen e 29 korrikut.

Trajneri Brdariç e ka theksuar që në Qipro se beson 10 për qind tek kualifikimi dhe tashmë mbetet për ta konkretizuar këtë gjë. Vërtetë kundërshtari ka lojtarë shumë herë më të paguar se Vllaznia, vërtetë buxheti i klubit nga Limasoli është disa herë më i madh se ai i kuqeblu, por në fushë diferencat nuk ishin të mëdha.

Prandaj kjo të jep shpresë se të enjten do të jetë Vllaznia skuadra që do të kualifikohet.

Lexoni dhe kete

KAMPIONATI I BOKSIT NIS ME RIVALITETIN VLLAZNIA – TIRANA

Kampionati kombëtar i boksit ka nisur me rivalitet që në ditën e tij të parë …