Te Vllaznia ka nisur puna për ndërtimin e skuadrës që do të luajë fillimisht në Kupat e Europës dhe më pas në sezonin e ri të futbollit shqiptar. Ndonëse këto janë ditë pushimi për futbollistët, pjestarët e stafit teknik dhe drejtuesit e klubit po bëjnë lëvizjet e para. Hapi I parë që ata kanë hedhur është rinovimi me disa prej titullarëve të sezonit të fundit, të cilëve u ka mbaruar kontrata.
Dhe të parët me të cilët është negociuar janë portieri Zogoviç dhe mbrojtësi Adili. Akordi me ta është shumë pranë dhe në ditët në vjim mund të vijë edhe firma në kontratë. Përpos tyre, do të rinovohet edhe me 3-4 lojtarë të tjerë, ndërkohë që do të ketë edhe largime të atyre futbollistëve që nuk kanë bindur aq sa duhet.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Vllaznisë po vijojnë përpjekjet edhe në merkato për të gjetur të tjerë lojtarë cilësorë. Njerëzit që po merrem me merkaton, mësohet se kanë kontaktuar shumë futbollistë dhe tashmë duhet pritur përgjigja e tyre. Vllaznia do të luajë në Europë dhe në fakt nuk ka kohë për të pritur. Ata që do të jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri, duhet të jenë në stërvitje më 15 qershor.
Trajneri Josa e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë në skuadër lojtarë që vijnë për të luajtur vetëm në ndeshjet europiane. Në këto rrethana, do shikohen të gjithë opsionet e mundshme dhe më pas do të vendoset për lojtarët që do të vishen kuqeblu. E sigurtë është që edhe në sezonin e ri, kuqeblutë do jenë ndër pretendentër për fitimin e trofeve, teksa më I lakmuari do të jetë titulli kampion.
E për ta marrë atë, kuptohet që duhet ndërtuar një skuadër sa më solide.