Thursday , 27 January 2022

VLLAZNIA NIS TË MENDOJË PËR SFIDËN ME TEUTËN

Dy ditë pushim i ka lënë stafi teknik futbollistët e Vllaznisë pas fitores të së shtunës me Laçin. E diela ka qenë pushim absolut, ndërsa të hënën ata thjesht kanë zhvilluar stërvitje individuale, përpara se të bashkohen të martën për të vijuar me përgatitjet për ndeshjen e rradhës.

Ajo do të luhet të premten në orën 16.45 në “Elbasan Arena” ndaj Teutës. Kjo e fundit po kalon një krizë të vogël rezultatesh, e cila u shoqërua edhe me dorëheqjen e trajnerit Edi Martini nga pankina e saj.

Përpos këtij fakti, durrsakët vijnë në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme, ndërkohë që shkodranët mendohet ta kenë sërish organikën e plotë. Kjo padyshim që është diçka shumë pozitive për ta dhe objektivi sigurisht që do të jetë vetëm fitorja. Në dy javët e fundit kampionati është bërë shumë interesant dhe tashmë diferenca e Vllaznisë me kreun është e pranueshme.

Tirana e vendit të parë është vetëm 5 pikë larg, ndërkohë që Kukësi i vendit të dytë është katër pikë. Kuqebluve do t’u mjaftojnë dy-tre javë të tjera me të njëjtat rezultate dhe gjërat do të flasin sërish për ta. Atmosfera në ekip duket shumë e mirë dhe tashmë të gjithë janë të vendosur për ta çuar përpara projektin e nisur.

Trajneri Brdariç nuk ka dëshirë të flasë për titullin kampion, por mundohet të fokusohet tek ndeshja e rradhës. Që do të thotë se e gjithë vëmendja për të është tek sfida e së premtes me kampionët në fuqi të vendit.

Vërtetë Teuta po kalon momente jo të mira, por ajo mbetet një kundërshtar shumë i vështirë ndaj të cilit duhet bërë kujdes. Megjithatë objektivi do jetë i njëjti edhe këtë herë për ekipin shkodran, vetëm fitore.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: VLLAZNIA ASNJË NËNVLERËSIM PËR EGNATIAN

Vllaznia do të luajë pasditen e së premtes ndaj Egnatias sfidën e rradhë për kampionat. …