Thursday , 27 January 2022

VLLAZNIA PËRGATITET NË DURRËS PËR TEUTËN

E diktuar nga kushtet e vështira të stërvitjes në Shkodër, Vllaznia ka zgjedhur t’i zhvillojë në Durrës përgatitjet e fundit për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë të premten ndaj Teutës. Për këtë arsye, paraditen e së mërkurës, kuqeblutë kanë lënë qytetin e tyre ndërkohë që pasdite kanë zhvilluar seancën e parë në qytetin bregdetar.

Reshjet e shiut që kanë nisur ditët e fundit, e kanë bërë të pamundur zhvillimin e stërvitjes në kushte normale në Shkodër sepse terreni i fushës ku stërviten kuqeblutë është i rënduar dhe përpos kësaj, në këtë qytet nuk ka asnjë fushë tjetër në kushte optimale në këtë periudhë. Si rrjedhojë stafi teknik ka kërkuar nga drejtuesit e klubit t’u krijojnë mundësinë për një stërvitje në kushtet e duhura dhe këta të fundit kanë bërë të mundur sigurimin e një terreni në Durrës.

Aty skuadra do të stërvitet të mërkurën dhe të enjten, duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën me Teutën e cila do të luhet të premten në orën 16.45 në “Elbasan Arena”. Atmosfera tek ekipi i Vllaznisë pas fitores me Laçin duket shumë e mirë dhe si rrjedhojë tashmë pritet një tjetër trepikësh edhe ndaj durrsakëve.

Këta të fundit nuk po kalojnë momente të mira kohët e fundit dhe kjo u shoqërua edhe me largimin e trajnerit Edi Martini. Po ashtu, Teuta ka edhe mungesa për sfidën e rradhës dhe të gjithë këto faktorë duhen shfrytëzuar nga ekipi shkodran për të marrë fitoren e rradhës.

Nëse do të ndodhte kjo, padyshim që do të ishte diçka shumë pozitive, edhe sepse javën e ardhshme, ai do të ketë dy ndeshje rradhazi në Shkodër, fillimisht me Partizanin e më pas me Skënderbeun. Shanset e tij për t’iu ofruar edhe më shumë kreut janë të mëdha, por pikësëpari, duhet të fitojë me Teutën.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: VLLAZNIA ASNJË NËNVLERËSIM PËR EGNATIAN

Vllaznia do të luajë pasditen e së premtes ndaj Egnatias sfidën e rradhë për kampionat. …