Vllaznia do të jetë pushim deri të martën. Trajneri Josa ka vendosur t’i lërë edhe 24 orë më shumë në dispozicion futbollistëve të tij për t’u relaksuar pas kthimit nga rrugëtimi i gjatë i Rumanisë.
Pas kësaj dite, kuqeblutë edhe për pak kohë do të jenë në Shkodër e më pas pritet të spostohen në Pogradec për të zhvilluar atje një stërvitje disaditore në prag të startit të kampionatit të ri. Planet janë bërë që skuadra të udhëtojë në fundjavë për në juglindje të vendit.
Gjatë qëndrimit në Pogradec, kuqeblutë do të planifikojnë edhe zhvillimin e një apo dy ndeshjeve miqësore që do t’i shërbejnë stafit teknik për kolaudimin sa më të mirë të skuadrës, mënyrës së të luajturit dhe formacionit.
Vllaznia në fakt e ka shumë të nevojshme të zhvillojë edhe ndeshje të tjera para fillimit të kampionatit sepse prej dy muajsh ka zhvilluar vetëm 4 ndeshje miqësore në Austri, madje edhe ato ndaj kundërshtarëve jo të duhur, si dhe dy ndeshjet ndaj Universitatea të Krajovës.
Kampionati i ri siç është bërë e ditur nis më 20 gusht dhe sfida e parë për shkodranët do të jetë ajo që do të luajnë në transfertë ndaj Erzenit. Kuptohet që objektivi i vetëm do të jetë fitorja, për t’i bërë nisjen e duhur sezonit të ri, por deri atëherë janë edhe gati tre javë dhe skuadra duhet të përgatitet në mënyrën e duhur.