Pas titullit kampion të fituar pesë ditë më parë, Vllaznia U17 ka bërë pronë të veten edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen finale të luajtur pasditen e së enjtes në kompleksin sportiv “Internacional” të kryeqytetit, djemtë e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi janë ndeshur me ekipin “Durrësi 04”.
Ka qenë një përballje shumë e fortë e cila është shoqëruar me raste të shumta shënimi, por goli ka vonuar të dalë në dritë. Madje në minutën e 81-të ka qenë Lleshi për durrsakët që shënoi i pari dhe kjo krijoi idenë se ata do ta fitonin ndeshjen, por nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e parë të shtesës, shkodranët fituan një 11-metërsh që u kthye në gol nga sulmuesi Kevin Dodaj.
Këtu do të mbyllej gjithçka në shifrat e barabarta 1-1 dhe sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, për të shpallur fituesin e Kupës do të gjuheshin 11-metërshta. Nga pika e bardhë, të pesë lojtarët e Vllaznisë janë treguar të saktë duke filluar nga Selmani, Shimaj, Kubazi, Halili e për të përfunduar tek Dodaj që ka gjuajtur 11-metërshin e fundit, atë që i dha fitoren 5-3 kuqebluve dhe njëkohësisht edhe trofeun e Kupës.
Padyshim që ky sukses është shoqëruar me një festë të madhe të sportistëve, trajnerëve të tyre, prindërve por edhe tifozëve shkodranë që ishin të pranishëm.
Vllaznia U17 në këtë mënyrë kurorëzon një sezon shumë të suksesshëm, si asnjë ekip tjetër i Akademisë Vllaznia gjithë këto vite, duke i fituar të dy trofetë më të rëndësishë që dorëzon Federata Shqiptare e Futbollit, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.