Eshtë zbardhur dëshmia e efektivit të policisë David Medani, i cili u arrestua pas konfliktit me disa persona në Mamurras ku mbeten të plagosur 3 persona.
Në deklarimet e tij para hetuesve, Medani mësohet të ketë thënë se i kanë zbritur 6 persona nga dy makina dhe janë drejtuar drejt tij me sende të forta në duar.
“Nxora armën e shërbimit nga brezi dhe qëllova dy herë në ajër, duke ju thënë te mos afroheshin. Por pavaresisht thirrjeve ata më goditën dhe unë qëllova sërish në mënyrë të pa kontrolluar, duke plagosur njërin nga agresoret dhe kolegët e mi”, mësohet të ketë thënë Medani.
Gjithashtu Medani ka deklaruar se të martën ka qenë në pune turn i parë dhe gjatë paradites me shefin e policisë dhe patrullën kanë ushtruar kontroll në një lokal nga nisi dhe zanafilla e sherrit.
“Rreth orës 9.30 me thirri shefi i stacionit i cili më tha se do shkojmë për kontroll. Së bashku me policin Ilir Zeka me mjetin e policisë ne u nisëm pas mjetit privat të shefit dhe u ndalëm në një lokal. Pasi hymë në lokalin kafe bilardo kontaktuam një person dhe i bëmë të ditur arsyet e kontrollit. Por ky shtetas debatoi me shefin dhe urdhëroi shoqërimin e këtij personi drejt postës” është shprehur polici.
Efektivi i policisë David Medani u arrestua mëngjesin e së mërkurës dhe ndaj tij janë ngritur akuza “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”. Gjatë një konflikti të marten në Mamurras ai qëlloi me armë zjarri duke plagosur nga pakujdesia 2 kolegë të tij dhe një përson tjeter.